Epoka e re e Kilogramit
Një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e metrologjisë moderne ndodhi më 20 maj 2019, ku u zyrtarizua përkufizimi i ri i njësisë bazë të masës, kilogramit, miratuar gjatë Konferencës së 26 të CGPM (General Conference on Weights and Measures).
Pas më shumë se një shekulli, bota shkencore i dha fund varësisë nga Prototipi Ndërkombëtar i kilogramit – një cilindër platin-iridium i ruajtur në BIPM (Sevres, Francë) – dhe kaloi në një përkufizim të bazuar në konstanten e Planck-ut (h), një madhësi themelore e natyrës.
h = 6.62607015 × 10-34 J.s.
Ky ndryshim në përkufizimin e kilogramit e çliron metrologjinë nga kufizimet e artefakteve fizike dhe e lidh përfundimisht me ligjet e natyrës.
Në praktikë, përkufizimi i ri i kilogramit realizohet përmes balancës Kibble (Kibble Balance), e njohur më parë si Watt Balance, e cila mat masën duke ekuilibruar forcat elektromagnetike dhe gravimetrike, duke lidhur njësitë bazë të sistemit ndërkombëtar të njësive SI, masën (kg), gjatësinë (m) dhe kohën (s) në mënyrë koherente dhe universale.