DPM

Fjalor i Termave të Metrologjisë

Instrument matës – Është çfarëdo pajisje që përdoret për të bërë matje vetë, me një ose disa pajisje shtesë.

Metrologji – Është shkenca e matjeve dhe aplikimi i saj.
Metrologji shkencore – Është ajo pjesë e metrologjisë, e cila merret me realizimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e etaloneve kombëtare të matjeve. Metrologjia shkencore ka të bëjë me krijimin e njësive të matjes, zhvillimin e metodave të reja të matjes, realizimin e standardeve matëse dhe gjurmueshmërinë nga këto standarde te përdoruesit në një shoqëri.
Metrologji industriale – Është ajo pjesë e metrologjisë që ka të bëjë me aplikimin e matjes në prodhim e procese të tjera dhe përdorimin e saj në shoqëri, duke siguruar përshtatshmërinë e instrumenteve matëse, kalibrimin e tyre dhe kontrollin e cilësisë.
Metrologji ligjore – Është ajo pjesë e metrologjisë, e cila rregullohet me ligj dhe dispozita të tjera normative për sigurimin e saktësisë dhe të besueshmërisë në rezultatet e matjes në fusha ku aplikohen instrumente matëse ligjërisht të kontrolluara.
Matje – Është procesi i marrjes në mënyrë eksperimentale të një ose disa vlerave të një madhësie, që në mënyrë të arsyeshme mund t’i atribuohen kësaj madhësie.
Njësi matjeje – Është sasia reale shkallore e përcaktuar dhe e miratuar nga Konventa e Metrit, me të cilën mund të krahasohet çdo lloj madhësie tjetër e të njëjtit lloj për të shprehur raportin e dy sasive si një numër.
Tipi i instrumentit matës – Është modeli përfundimtar i një instrumenti matës ose moduli (përfshirë këtu një familje me instrumente ose module), për të cilin janë përkufizuar në mënyrë të përshtatshme të gjitha elementet që ndikojnë në karakteristikat e tij metrologjike.
Etalon matjeje – Është realizimi i përkufizimit të një madhësie të caktuar me vlerën e shprehur të sasisë dhe pasigurinë shoqëruese të matjes, e përdorur si referencë.
Etalon kombëtar i matjeve – Është instrument matjeje i miratuar nga Këshilli i Ministrave për të shërbyer në Republikën e Shqipërisë si një bazë për përcaktimin e vlerave të standardeve të tjera të matjes për madhësinë në fjalë.
Etalon referues – Është instrument matës i caktuar për kalibrimin e etaloneve të tjera matëse, për sasitë e një lloji të caktuar në një organizatë ose vendndodhje të caktuar.
Ruajtja e etalonit të matjes – Përfshin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur karakteristikat metrologjike të etalonit të matjes brenda kufijve të caktuar.
Material referues – Është një material mjaftueshmërisht homogjen dhe i qëndrueshëm në lidhje me karakteristikat e specifikuara, i cili është krijuar për të qenë i përshtatshëm për përdorimin e synuar në matje ose në ekzaminimin e karakteristikave nominale.
Material referues i certifikuar – Është një material referues, i shoqëruar me dokumentacionin e lëshuar nga organizma ndërkombëtarë apo kombëtarë, që jep një ose më shumë vlera të karakteristikës së specifikuar, me pasiguritë dhe gjurmueshmëritë shoqëruese, duke përdorur procedura të vlefshme.
Gjurmueshmëri – Gjurmueshmëria metrologjike është cilësia e rezultatit të matjes ose vlera e etalonit të matjes, e arritur nëpërmjet një zinxhiri të pashkëputur të dokumentuar kalibrimesh, ku secili kontribuon në pasigurinë e matjeve.
Kalibrim – Është veprimtaria që, në kushte të caktuara, së pari, krijon një marrëdhënie ndërmjet vlerave të madhësisë me pasigurinë e matjes, mundësuar kjo nga etalonet e matjes dhe indikacionet korresponduese të shoqëruara me pasigurinë e matjes dhe, së dyti, e përdor këtë informacion për të krijuar një lidhje për marrjen e një rezultati matjeje nga një tregim i caktuar.
Verifikim – Verifikimi i një instrumenti matës është procedura e vlerësimit të konformitetit (ndryshe nga vlerësimi i tipit), e cila rezulton në vendosjen e shenjës së verifikimit dhe/ose lëshimin e certifikatës së verifikimit.
Verifikim i rregullt i instrumentit matës – Verifikim periodik i detyrueshëm i një instrumenti matës pas verifikimit të mëparshëm, që kryhet periodikisht, në intervale kohe të përcaktuara, në përputhje me ligjin dhe procedurat e vendosura nga aktet rregullatore përkatëse.
Verifikim jashtë radhe i instrumentit matës – Është një verifikim i kryer pas rimodelimit, eliminimit të mosfunksionimeve ose defekteve të tjera teknike (riparim), apo i kryer jashtë periudhës së verifikimit.
Autorizim – Është një nga format e dhënies së të drejtës për të kryer verifikim të instrumenteve matëse në sferën e detyrueshme subjekteve private, vendase ose të huaja, që kryejnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.
Certifikim – Është dokumenti që lëshohet nga trupat e autorizuara në një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, për produktet, proceset, sistemet ose personat.
Parapaketim – Është kombinimi i një produkti dhe një paketimi individual me të cilin është parapaketuar. Një produkt është i parapaketuar kur ai vendoset në një paketim, të çfarëdo natyre qoftë, pa qenë blerësi prezent, dhe sasia e produktit që përmbahet në paketim ka një vlerë të paracaktuar dhe nuk mund të ndryshohet pa u hapur paketimi ose pa iu nënshtruar një modifikimi të perceptueshëm.
Shishe si enë matëse – Është çfarëdo kontejneri i bërë prej qelqi ose prej ndonjë materiali tjetër, që ka një fortësi dhe qëndrueshmëri të tillë për të ofruar të njëjtat garanci metrologjike si qelqi, i taposur apo i projektuar për t’u taposur, që destinohet për magazinim, transport ose shpërndarje të lëngjeve e që ka karakteristika metrologjike (karakteristika të projektimit dhe uniformitet të prodhuesit) të tilla që mund të përdoren si shishe matëse kur ato mbushen deri në një nivel specifik ose një përqindje të specifikuar të kapacitetit të tyre deri në buzë dhe përmbajtja e tyre mund të matet me një saktësi të mjaftueshme e që ka kapacitet nominal nga 0,05 deri në 5 litra.
Inspektim – Inspektimi metrologjik është procesi i ekzaminimit të një produkti apo procesi dhe përcaktimi i përputhshmërisë së tij me kërkesat specifike ose, sipas gjykimit profesional, me kërkesat e përgjithshme.
Matje zyrtare – Është çdo matje e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ose nga persona juridikë privatë të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Matja zyrtare përdoret si evidencë e besueshme në procedurat dhe vendimmarrjet e organizmave qeveritarë apo të gjykatave.
Miratim i tipit të instrumenteve matëse – Është vendim i bazuar në raportin e vlerësimit të tipit, nëse tipi i një instrumenti matës përputhet me kërkesat përkatëse ligjore, i cili konkludohet me lëshimin e certifikatës së miratimit të tipit.
Verifikim fillestar i instrumenteve matëse – Është verifikimi i një instrumenti matës që nuk është verifikuar më parë.
Lejim për hedhje në treg ose vënie në shërbim – Leje e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për hedhjen në treg ose përdorimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara që nuk kanë shenjën e verifikimit fillestar.