DPM

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) është person juridik publik, i specializuar në fushën e metrologjisë, me qendër në Tiranë. Ajo organizohet në katër sektorë shërbimi, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe zhvillon aktivitetin e saj në mbështetje të Ligjit nr. 126, datë 15.10.2020, “Për metrologjinë”, si dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.

DPM është institucion i specializuar që zotëron aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme për t’u përdorur si referencë për të gjitha transmetueshmëritë e matjeve në Shqipëri.

Misioni i Drejtorise së Pergjithshme të Metrologjisë është:

  • Të ruajë dhe përdorë etalonet kombëtare të njësive të matjeve;
  • Të mbrojë konsumatorët nëpërmjet organizimit të kontrollit të instrumenteve matës në fushat e transaksioneve zyrtare dhe tregtare, mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe sigurisë teknike, si dhe kontrollin sasior të parapaketimeve;
  • Të ofrojë shërbime të kalibrimit prodhuesve dhe përdoruesve të mjeteve matëse për të qenë konkurues në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Politika e aktivitetit të DPM

Politika e aktivitetit të DPM-së është zhvillimi i sistemit kombëtar të metrologjisë, i harmonizuar me standardet evropiane, për të përmbushur nevojat e vendit. Kjo politikë synon:

  • Harmonizimin e procedurave dhe rregullave teknike të vlerësimit të matjeve;
  • Eliminimin e barrierave teknike për lëvizjen e lirë të mallrave;
  • Rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë.

Detyrat dhe funksionet e DPM

Në zbatim të Ligjit nr. 126, datë 15.10.2020, “Për metrologjinë”, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë realizon këto detyra dhe funksione:

  • zbatimin e strategjisë kombëtare të metrologjisë;
  • përmirësimin e legjislacionit për metrologjinë;
  • mbajtjen e disa standardeve kombëtare të matjes në laboratorët e saj;
  • monitorimin e mënyrës së mbajtjes, ruajtjes dhe përdorimit të standardeve kombëtare të matjeve;
  • kryerjen e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse;
  • kryerjen e kontrollit sasior të produkteve të parapaketuara dhe të shisheve si enë matëse;
  • autorizimin e personave juridikë për verifikimin e mjeteve matëse dhe ekspertizën metrologjike, si dhe të personave fizikë apo juridikë për riparimin e instrumenteve matëse;
  • shërbimin si referencë kombëtare për sistemin kombëtar të akreditimit të laboratorëve të kalibrimit për aftësitë dhe etalonet e matjeve;
  • përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare të metrologjisë.

Sistemi Kombëtar i Metrologjisë

Sistemi Kombëtar i Metrologjisë në Republikën e Shqipërisë drejtohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM). Ky sistem përfshin:

  • laboratorët e etaloneve kombëtare;
  • laboratorët e kalibrimit;
  • laboratorët e testimit;
  • personat juridikë të autorizuar për kryerjen e aktivitetit të metrologjisë ligjore.

Bazat e këtij sistemi janë përcaktuar në Ligjin nr. 126, datë 15.10.2020, “Për metrologjinë”, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.